Të konsolidojmë me ligj një shtyp të lirë dhe demokratik
Krijimi i shtypit demokratik është rezultati më real dhe i ndjeshëm i zhvillimeve demokratike në vendin tonë fill pas krijimit të partive politike. Vërshimi i mendimit të lirë në shtypin demokratik, etja me të cilën ai lexohet, ose më mirë përpihet nga masa e gjerë e popullit, na ngjason me vërshimin e një lumi jetëdhënës mbi një tokë të tharë, të përzhitur dhe të plasaritur nga thatësira prej një kohe shumë të gjatë. Sepse pushteti monist, si kuçedra e përrallave, i kishte zënë të gjitha vijat nga mund të vinte uji jetëdhënes.
Eshtë folur mjaft për dëmet dhe krimet që janë bërë kundër popullit nga pushteti totalitar i PPSH. Por, me siguri, ka ende mjaft për të thënë. Shtypja e pamëshirshme e shprehjes dhe e qarkullimit të lirë të mendimeve, mungesa e plotë e shtypit të lirë dhe ndalimi për të marrë informacion bashkëkohorë, është një nga aspektet më të errëta të veprimtarisë së këtij pushteti totalitar. Pasojat kemi për t'i ndjerë për një kohë të gjatë në fushat politike, social-ekonomike dhe kulturore.
Megjithëse nuk përmendej asgjëkundi në legjislacion fjala cenzurë dhe as ka qenë insstitucionalizuar me ligj ndonjë organ cenzure, ajo si një merimangë mëndjetharëse dhe shpirtvrasëse pështillte me pezhishkën e saj të gjitha mjetet e informimit publik, entet botuese, bibliotekat, tekstet dhe programet mësimore të shkollave, të gjitha botimet dhe prurjet e literaturës së huaj.
Fijet e kësaj cenzure të pashpallur drejtoheshin nga Hermesët-kasnecë të Zeusit në KQ. Zelli cenzurues arrinte deri në një absurditet të tillë, sa edhe buletinet informative të Redaksisë së jashtme të ATSH-së klasifikoheshin dhe shpërndaheshin sipas një protokolli të rreptë midis vetë hierarkëve të Partisë. Ishin të paktë ata që mund t'i lexonin të gjitha (vetëm anëtarë të caktuar të Byrosë Politike). Bëhej kjo nga frika apo dëshira për të patur rreth vetes njerëz sa të pakulturuar, aq dhe të painformuar?.
Në një shkallë më poshtë cenzura ushtrohej nga kryeredaktorët e organeve të shtypit, drejtorët e shtëpive botuese, shefat e redaksive që dhe postin e siguronin me "besnikërinë", "partishmërinë" e tyre më shumë se sa me përgatitjen kulturore dhe zotësinë profesionale.
Dhe, së fundi, ajo ushtrohej me autocenzurën. Mungesa e saj të shpinte në kthetrat e një merimange më ogurzezë, të sigurimit të shtetit, që zbatonte menjëherë dhe pa hezitim nenin për krimin e "agjitacionit dhe propagandës". Sepse mund të dënoheshe jo vetëm për veprat e botuara, por edhe për dorëshkrimet e paraqitura nëpër redaksitë e enteve botuese.
I cenzuruar në këtë mënyrë, i specializuar për të fshehur të vërtetën dhe për të mbuluar gënjeshtrën, për të dezinformuar opinionin publik, për të zbukuruar realitetin e mjerë, shtypi monist kultivonte tek "njeriu i ri" hipokrizinë sociale, përshtatshmërinë, konformizmin dhe servilizmin politik, dyzimin shpirtëror dhe intelektual, idhujtarinë, dhe për pasojë kultivonte shterpësinë mendore dhe shpirtërore.
Vetërrethimi politiko-shtetëror dhe vetizolimi ekonomiko-kulturor plotësoej me vetëburgosjen shpirtërore dhe mendonre.
Do të mbetet një nga veprat më të zeza të diktaturës së PPSH-së në fushën e kulturës kalimi në rezervat i një pjese të mirë të fondit të librave dhe të shtypit periodik të huaj (bashkëkohor kryesisht) nëpër biblioteka.
Intelektualët shqiptarë u detyruan të burgosin librat. Një pjesë të mirë edhe i ekzekutuan, duke i dërguar në fabrikën e letrës për t'u kthyer në karton. Ata u detyruan të burgosin vetveten. Të presin kordonin ushqyes për mendjet dhe shpirtërat e tyre. Nuk ka kulturë kombëtare jashtë kulturës gjithënjerëzore, sikundër nuk është i lirë një popull që nxitet të armiqësohet me të gjithë popujt e tjerë. Farën e armiqësisë e mbjellin dhe e kultivojnë tiranët pushtetmbajtës dhe kurrë popujt!
Me një fjalë, një cenzurë reale, dhe pse e padukshme, si një gardh i padepërtueshëm (si telat me gjemba përgjatë kufirit të vendosura për të penguar qarkullimin e lirë të njerëzve) pengonte të futej çdo libër apo botim që mund të nxiste mendimin e lirë.
Ç'mund të thuhet për gjymtimin e teksteve dhe programeve shkollore, që duhej t'i përshkonte si "një fill i kuq" ideologjia e Partisë dhe "mësimet e pavdekshme të sh. Enver Hoxha"? Ç'dëme kolosale i janë shkaktuar popullit, duke përgatitur në bazë të tyre breza të tërë shkollarësh gjysmakë?
Rezultatet i ndjejmë që tani. Duam të kalojmë në ekonominë e tregut dhe nuk kemi specialistë që t'i njohin ligjet e saj qoftë edhe teorikisht. Duam të ndërtojmë një shtet ligjor, një shtet juridik, një kushtetutë demokratike, bashkëkohore, dhe nuk kemi specialistë që të njohin mirë ligjet dhe nënligjet e shtetit juridik. A mund t'u vëmë faj specialistëve që nuk gjejnë asnjë literaturë nëpër biblioteka?
Kuvendi Popullor pluralist së afërmi do të shqyrtojë "Ligjin mbi shtypin". Shpresojmë se ai do të aprovojë një ligj që do të garantojë realisht të drejtën e çdo shtetasi jo vetëm për të shprehur lirisht mendimet dhe opinionet e tij në mjetet e informimit publik, por edhe të drejtën për t'u informuar lirisht me anën e mjeteve të mundshme (të arritshme) të informimit publik. Këto të drejta duhet të garantohen deri dhe me mundësinë e ndjekjes ligjore të realizimit dhe moscënimit të tyre.
Duhet të hapen të gjitha vijat e ujit jetëdhënës, që ai të vërshojë lirshëm mbi tokën arbërore, në mënyrë që të japin frutet e duhura farët e mbjella të demokracisë. Për këtë duhet të hiqet çdolloj cenzure (me përjashtim të botimeve a shkrimeve që nxisin për vepra, të cilat bien ndesh me Kushtetutën dhe cipën publike). Të marrë fund një herë e përgjithnjë monopolizimi i mjeteve të informimit publik, duke i dhënë të drejtën çdo shtetasi apo grupi shtetasish dhe jo vetëm partive politike për të hapur gazeta apo shtëpi botuese.
Duke konsoliduar me ligj një shtyp të lirë e demokratik, një shtyp të "së vërtetës", do të mbrojmë qeveritarët nga korrupsioni dhe gabimet, do të mbrojmë popullin nga qeveritarët e korruptuar, e sigurojmë dhe e bindim popullin se ai është i kulturuar dhe i denjë për të ecur në një hap dhe ballëlartë me të gjithë popujt e qytetëruar të Evropës dhe të botës, sikundër diti ai të bindë botën e qytetëruar se, megjithëqë jetoi për dhjetra vjet nën një diktaturë të egër, atij kurrë nuk iu shua etja dhe dëshira për liri dhe demokraci.
Duke konsoliduar me ligj një shtyp të lirë, demokratik, të çliruar nga çdo lloj cenzure, i vëmë një nga shtyllat kryesore godinës së shtetit juridik, që po përpiqemi të ndërtojmë.
"Rilindja Demokratike", Tiranë, Qershor 1991.